Si fillim kam dëshirë të uroj mirëserdhjen në shtëpinë tonë virtuale !

Jam shumë e lumtur që je ketu ! Unë quhem Jonela Ndone . Jam nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm, Luka dhe Hana. Jam e martuar dhe për momentin jetoj dhe punoj në emigrim. Jam drejtuese e përgjithshme e bimbambum.tv, trajnuese Mindfulness për fëmijë dhe adoleshentë, Hipnoterapiste, Life coach, Analiste e profilit të sjelljes . 

A jeni kurioz të dini se si nisi BimBamBum.Tv?

Në atë kohë isha një grua dhe nënë shtëpiake, në pritje të ëmbël për herë të dytë dhe me një djalë të vogël (bekimi i parë), në emigrim. Përpost çdo sfide që çdo emigrant kalon në një vend të huaj, gjuha  është një sfidë e re me vete. Sigurisht që në ambjente sociale, shkollë, kurse ishim të detyruar të flisnim gjuhën e vendit ku jetonim por ajo çfarë po fillonte të më inkomodonte ishte se djali po rrallonte shprehitë në gjuhën Shqipe. Ky fakt sinqerisht më prekte shumë.

Në shtëpi televizori qëndronte në një kanal muzikor të huaj për femijë (në orën e lirë) dhe tekstet e këngëve të atij kanali i di të gjitha përmëndesh edhe sot. Ishte ky moment që më lindi ideja se nëpërmjet këngës gjuha kurrë nuk humbet, nëpërmjet kënges fëmijët po mësojnë nje gjuhë të re, nëpërmjet këngës fëmijët përvetesojnë më shpejtë shprehitë dhe mesazhet. 

U desh ky ngacmim emocional që më bëri të marr fletoren dhe lapsin dhe të nis të shkruaj se si do ishte kanali im muzikor . Të kuptohemi që unë nuk kisha të qartë aspak se cila ishte rruga që duhej të ndiqja, se çfarë do më duhej apo se me kë duhej të bashkëpunoja apo se një ditë do të mund ta realizoja vërtetë. Kisha të qartë vetëm idenë se si do të doja unë të ishte . Kurioziteti çdo ditë e më shumë më bëri të kërkoja më shumë informacione, të mendoja më shumë dhe të interesohesha më shumë.

Rrugës të gjitha pjesët e këtij " pazzul" po puthiteshin deri sa më në fund idetë në letër  po konkretizoheshin dhe po merrnin tashmë një identitet vizual, nje imazh, nje logo , 2 personazhe kryesore e shumë të tjera nga artisti Everson Nazari i njohur me emrin e artit si "Indio san” dhe një zë dhe melodi me ndihmën e mjeshtrit Gramoz Kozeli . Më pas kam bashkëpunuar me profesionistë të tjerë si Blerus Studio që me profesionalizmin e tij ka sjellë një tjetër prezantim vizual duke e bërë më cool dhe më të ngrohtë bimbambu.tv për të guithë familjen. 

Misioni ynë është të ushqejmë dashurinë për të mësuarin tek të vegjlit tuaj, përmes planeve kreative mësimore dhe nxitjeve.

“Një edukim krijues ka fuqinë t'i katapultojë fëmijët në një jetë plot kuriozitet”